UEFA ka bërë zyrtare një ndryshim të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, duke ndryshuar orarin tradicional të zhvillimit të finales. Në një njoftim të publikuar të enjten, shtëpia më e madhe e futbollit europian bëri të ditur se finalja e edicionit 2025/26 do të luhet në Budapest nga ora 18:00, dhe jo më në orën 21:00 siç ka qenë praktikë prej shumë vitesh.
Ky ndryshim vjen si pjesë e një strategjie për të përmirësuar shikueshmërinë globale të ngjarjes më të rëndësishme të futbollit europian për klube. Sipas UEFA-s, orari i ri u mundëson tifozëve më shumë kohë për të ndjekur ndeshjen në kushte më të favorshme, për të festuar dhe për të reflektuar mbi rezultatin e finales, shkruan AutoPortali.
Finalja e sezonit 2025/26 do të zhvillohet në “Puskás Aréna” të Budapestit, ndërkohë që sot, po nga ora 18:00, do të hidhet edhe shorti për fazën e ligës të edicionit të ri të Champions League.
Ky është një ndër ndryshimet më domethënëse në formatin dhe menaxhimin e Ligës së Kampionëve, që nga prezantimi i modelit të ri të garës që nis këtë sezon, me një fazë unike të ligës që zëvendëson grupet tradicionale.


 
                                    

