Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehti, që ka sjellë temperatura rekord në Spanjë dhe Portugali, ndërsa Italia po përjeton pasoja të rënda. Në më shumë se gjysmën e rajoneve italiane, është ndaluar puna në ambiente të jashtme gjatë orëve më të nxehta të ditës për të mbrojtur punëtorët nga rreziku i nxehtësisë ekstreme.
Fatkeqësisht, të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të vështira: një fëmijë i vogël në Katalonjë, një grua 53-vjeçare në Palermo dhe një burrë 70-vjeçar pranë Torinos, i cili u mbyt pas stuhive të fuqishme që pasuan periudhën e të nxehtit, shkruan BBC, transmeton AutoPortali.
Në disa pjesë të Italisë është raportuar një rritje prej 15-20% e rasteve në urgjenca, veçanërisht tek të moshuarit që kanë pësuar dehidrim. Në Francë, kushtet e vështira klimatike kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa shkolla, duke i konsideruar të papërshtatshme për zhvillimin e mësimit.
Ndërkohë, në Turqi, zjarret kanë përfshirë disa rajone, duke detyruar dhjetëra mijëra banorë të evakuohen për sigurinë e tyre.




