Verstappen dhe titulli i Formula 1, aleati çuditërisht është  McLaren
V

Verstappen dhe titulli i Formula 1, aleati çuditërisht është  McLaren

Vendit i tretë në garën e Meksikës e afroi Max Verstappenin edhe katër pikë më shumë me kreun e Botërorit 2025 të Formula 1.

Tani holandezi ndodhet 36 pikë prapa Lando Norrisit, i cili me fitoren e së dielës kaloi shokun e skuadrës së tij, Oscar Piastrin, me 1 pikë diferencë në krye të klasifikimit. Pas Çmimit të Madh të Holandës, gjithçka dukej se po shkonte në favor të australianit, por dy muaj dhe pesë gara më vonë situata është përmbysur. Guenther Steiner, ish-drejtori i skuadrës Haas, deklaroi se përplasja e brendshme mes pilotëve të McLarenit ka ndihmuar kampionin në fuqi të mbetet fuqishëm në garë për titull, me vetëm 4 gara të mbetura deri në fund.

“Aleati më i mirë i Verstappenit për të fituar kampionatin është McLareni. Duket sikur rregullat janë shkruar në favorin e tij”, tha Steiner, duke iu referuar të ashtuquajturave “rregulla papaja”. “Nëse Norris dhe Piastri vazhdojnë të luftojnë mes tyre, do t’i marrin pikë njëri-tjetrit”, shtoi ai.

Forma e dobët e Piastrit, i cili nuk është ngjitur në podium në katër garat e fundit, ka qenë gjithashtu një element i rëndësishëm në analizën e amerikanit.

“Piastri po kalon një periudhë të vështirë. Ndoshta ai nuk ndien mbështetjen e plotë të ekipit për të luftuar për titullin. Kur ndodh kjo, humbet energjia, lindin dyshime dhe është e pamundur të japësh maksimumin”, vijoi Steiner.

Në të njëjtën linjë me fjalët e Steiner, edhe brenda Red Bull shpresojnë që dy pilotët e McLarenit të vazhdojnë t’i heqin pikë njëri-tjetrit.

“Ideja që një skuadër ka një avantazh të qartë në pistë tashmë nuk qëndron. Shanset tona mbeten të paprekura. Shpresoj që të dy pilotët e MekLarenit të vazhdojnë të respektojnë rregullat e tyre të lojës së ndershme, ‘Papaya Rules’. Përparësia jonë është që gjithçka varet nga Vershtapen, dhe ne ende kemi gjasa reale për titull”, u shpreh Helmut Marco, këshilltar i Red Bullit. E gjithë vëmendja e Red Bullit është përqendruar tek gara për kampionatin, ndërsa vendimet për formacionin e pilotëve për vitin 2026 janë shtyrë për momentin.

“Vendimi për pilotët do të shtyhet, pasi prioriteti ynë absolut është kampionati i pilotëve. Nuk mund të lejojmë as gabimin më të vogël”, përfundoi Marco.

TË FUNDIT