Sipas Max Verstappen, për tifozin mesatar do të jetë më e vështirë të kuptohet se çfarë po ndodh në gara me hyrjen e rregullave të reja teknike në vitin 2026, ku theksi do të vihet shumë më tepër te menaxhimi i energjisë.
Popullariteti i Formula 1 është rritur ndjeshëm vitet e fundit, falë serialit të Netflix “Drive to Survive” dhe filmit me Brad Pitt. Megjithatë, piloti i Red Bull Racing beson se epoka e re do ta bëjë sportin më kompleks.
“Do të jetë e ndërlikuar për t’u ndjekur dhe për t’u shpjeguar. Do të duhet kohë që të gjithë të mësohen”, tha ai, duke shtuar se ka ende shumë pikëpyetje, sidomos sa i përket parakalimeve dhe përdorimit të baterisë.
Verstappen theksoi se pilotët do të kenë një sasi të kufizuar energjie për çdo xhiro, ndërsa mënyra si do të përdoret ajo do të ndikojë drejtpërdrejt në sulm dhe mbrojtje. “Pyetja është sa bateri mund të përdorësh në atë moment, dhe kjo është e kufizuar”, u shpreh ai.
Katër herë kampioni i botës ka shprehur dyshime edhe më herët gjatë testeve parasezonale në Bahrein, duke vënë në pikëpyetje nëse ky është drejtimi i duhur për F1. Sipas tij, përshtatja me stilin e ri të ngasjes nuk është problem, por “nuk është mënyra më argëtuese”.

Ai shtoi se mendimi i tij nuk varet nga rezultatet: “Edhe nëse fiton, duhet ta shijosh atë që bën. Nëse nuk të pëlqen të shkosh në punë, nuk do të zgjasë shumë”.
I pyetur për të ardhmen e tij në F1, Verstappen tha se shpreson të qëndrojë gjatë, por pranoi se aktualisht është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen gjërat në epokën e re.



