Max Verstappen prej kohësh nuk ka qenë kaq i zemëruar: “Është e tmerrshme! Kushdo që i pëlqen rregullat e reja nuk kupton asgjë nga Formula 1”, ka thënë kampioni i katërfishtë i botës.
Verstappen ka kritikuar sërish rregullat e reja të Formula 1 për vitin 2026, duke thënë se kushdo që i shijon këto gara “nuk kupton asgjë nga garat”. Ai u detyrua të tërhiqej për shkak të një defekti në makinën e Red Bull Racing në garën e fundjavës në Kinë.
Holandezi kishte pasur probleme gjatë gjithë fundjavës: përfundoi i nënti në sprint dhe në garën kryesore u tërhoq për shkak të problemeve me sistemin e rikuperimit të energjisë së motorit. Pas garës, Verstappen e quajti fundjavën “shumë të keqe” për Red Bull.
Piloti holandez kritikoi mënyrën e re të garimit: “Është e tmerrshme. Nëse dikujt i pëlqen kjo, atëherë nuk kupton çfarë janë garat. Është si të luash Mario Kart. Parakalojmë dikë, pastaj bateria na mbaron në drejtëzën tjetër dhe ai na parakalon sërish. Për mua kjo është shaka”, tha Verstappen.
Sipas tij, aktualisht vetëm Kimi Antonelli dhe George Russell po fitojnë gara, ndërsa ekipet e tjera janë shumë prapa.
Ai shtoi se shumica e pilotëve nuk janë të kënaqur me rregullat e reja dhe beson se as tifozët e vërtetë të Formula One nuk e duan këtë stil garimi.



