Verstappen triumfon në Katar, gara për titull mbetet e hapur
V

Verstappen triumfon në Katar, gara për titull mbetet e hapur

Max Verstappen me Red Bull fitoi garën e Çmimit të Madh të Katarit në Formula 1, zhvilluar në pistën e Losail. Edhe pse e nisi garën nga vendi i tretë, pas dy makinave McLaren, arriti të shrytëzojë në maksimum mundësitë që iu dhanë, duke ngushtuar diferencën me kreun e renditjes.

Në vendin e dytë u rendit australiani i McLaren, Oscar Piastri. Në podium u ngjit edhe Carlos Sainz me Williams, i treti, surpriza e kësaj gare. Në vendin e katërt u rendit britaniku Lando Norris me makinën McLaren, që ruan vendin e parë në renditjen e përgjithshme, me një garë nga fundi.

Rezultati i kësaj gare la gjithçka të hapur për sa i përket titullit kampion për pilotë. Norris ka 12 pikë avantazh ndaj Verstappenit dhe 16 pikë karshi Piastrit. Gara e së dielës u vendos nga hyrja e makinës së sigurisë në xhiron e shtatë. Holandezi i Red Bull hyri dhe ndërroi gomat, ndërsa dy pilotët e McLaren nuk përfituan.

Kjo garë kishte rregullin e dy ndalesave dhe një set gomash duhej të zgjaste maksimumi 25 xhiro (57 xhiro gjithsej). Hyrja e makinës së sigurisë në xhiron e shtatë, kur mbetën edhe 50 për t’u zhvilluar, ishte mundësia e artë për Verstappen, që e shfrytëzoi dhe më pas menaxhoi pa probleme avantazhin.

Në zonën e pikëve, respektivisht nga vendi i pestë në të dhjetin, u renditën edhe Kimi Antonelli, George Russell, Fernando Alonso, Charles Leclerc, Liam Lawson dhe Yuki Tsunoda.

Tjetër garë anonime për Ferrari, ndërkohë që Lewis Hamilton u rendit në vendin e 12-të me “kokekuqen”, jashtë zonës së pikëve.

TË FUNDIT