Në këtë periudhë testimesh, veçanërisht në fillim të një cikli të ri rregullator, ka mjaft konfuzion se cilat ekipe do të jenë pikë referimi, të paktën deri kur kampionati i Formula 1 të fillojë në Melburn.
Shumë veta parashikojnë që Mercedes të jetë favorit, ndërkohë që testet e nisura në Bahrein mund të japin të dhëna të mëtejshme.
Duke folur për mediat, ish-piloti gjerman Sebastian Vettel, 4 herë kampion bote, zbuloi se kë e sheh si kampion në fund të vitit 2026. “George Russell dhe Mercedes“.
Më tej, Vettel komentoi kritikat e fundit të Lewis Hamilton ndaj rregulloreve të reja: “Ai ka shumë përvojë dhe mendoj se është në gjendje ta vlerësojë situatën shumë mirë. Nëse kthehemi në vitet 2013 dhe 2014, mund të shohim se sa shumë gjëra u stabilizuan shumë shpejt dhe mendoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe këtë vit”.

“F1 është aktualisht shumë popullore dhe njerëzit mendojnë se është vërtet fantastike. Dhe për të qëndruar kështu, mendoj se është thelbësore të shpjegohet qartë se çfarë fshihet pas saj. Mendoj se është shumë e rëndësishme të përçohet spektakël dhe emocion“, deklaroi Vettel.



