Vetura sekrete sportive e Volkswagen që s’u realizua kurrë
V

Vetura sekrete sportive e Volkswagen që s’u realizua kurrë

Vizatime të papublikuara më parë zbulojnë një makinë sportive elektrike që Volkswagen e la në harresë.

Imagjinoni këtë: është viti 2017. Skandali i Dieselgate është në kulmin e tij. Volkswagen përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga mashtrimi me emetimet e makinave TDI duke prezantuar konceptet e para të linjës elektrike ID. Pas prezantimit të modelit fillestar ID. një vit më parë, në 2017 kompania nxori edhe I.D. Crozz një pararendës i ID.4. Por ndërkohë, në studiot e dizajnit të VW, po lindte diçka shumë më interesante: një makinë sportive.

Vizatime që deri më sot nuk ishin publikuar tregojnë një version emocionues të ndërtuar mbi platformën elektrike MEB të Grupit Volkswagen. Zëdhënësi për dizajnin dhe konceptet e VW, Štěpán Řehák, ndau së fundmi në LinkedIn disa skica mbresëlënëse të një makine sportive elektrike, dizajnuar nga Tibor Juhasz.

Sipas Motor1, synimi i saj ishte t’i bënte homazh modelit SP2 të viteve ’70  jo Ferrari Monza SP2, por kupeja sportive që Volkswagen prodhoi në Brazil, transmeton AutoPortali.

SP2 origjinale ishte ndërtuar mbi bazën e platformës Type 3 për të ulur kostot, me motor të vendosur prapa dhe traksion në rrotat e pasme. Pasardhësi shpirtëror i këtij modeli – edhe pse kurrë s’u prodhua braktiste motorin me ftohje ajri dhe ndërruesin manual me katër marshe, për një motor elektrik, me shumë gjasë të vendosur në pjesën e pasme, ashtu si shumica e makinave të tjera MEB.

Edhe pse SP2 nuk ishte dizajnuar nga Giorgetto Giugiaro, makina e re konceptuale elektrike frymëzohej pikërisht nga stilisti legjendar që krijoi Golf-in e parë, Passat-in, Scirocco-n, Jetta-n dhe konceptet e famshme W12. Në një postim të tij, dizajneri Tibor Juhasz shpjegon idenë pas dizajnit të SP2 moderne, krijuar që në vitin 2017:

“Propozimi im për SP2 lindi nga intuita e pastër. Ishte një vizion për të ardhmen elektrike, e mbështetur në vlerat klasike. Qëllimi im ishte i qartë: të ndërtojmë përpara, pa humbur thelbin që na përkufizon. Emocion, energji dhe vizion të gjitha u bashkuan për të krijuar diçka që ende ka rezonancë sot.”

Por kjo kupe e ulët, me linja të fryra dhe muskulare, kurrë nuk shkoi më tej se disa vizatime. VW kishte prioritete më të mëdha se sa një makinë sportive për një treg të ngushtë. Kompania zgjodhi të fokusohej te modelet ID. me prodhim masiv: ID.3, ID.4, ID.5 dhe ID.7. Megjithatë, gjeti hapësirë për të eksperimentuar me ID. Buzz. Ndërsa makina sportive, thjesht u la mënjanë.

Ky EV sportiv pa emër nuk është koncepti i parë i guximshëm që VW nuk e çoi kurrë në prodhim. Që nga koha e Dieselgate, disa mund të kujtojnë BlueSport-in e vitit 2009, një roadster me motor TDI 2.0 litra. Para tij erdhi EcoRacer-i i vitit 2005, gjithashtu me naftë. Më pas ishte XL Sport në 2014, me motor V-2 nga Ducati Superleggera. Por asnjëri nuk u afrua me legjendën e W12.

Me ndalimin e shitjes së makinave me motorë djegie në horizontin europian, është shumë vonë për një tjetër makinë sportive me naftë apo benzinë nga VW. Por ky koncept SP2 modern jep një shpresë se një model i dedikuar për performancë mund të vijë në të ardhmen. Wolfsburg tashmë ka premtuar se do të bartë etiketat GTI dhe R në epokën elektrike por një makinë sportive më vete, si kjo coupe me dy dyer, do të ishte një hap edhe më interesant.

Sigurisht, nuk do të shiste si një hatchback, e aq më pak si një SUV. Por një makinë sportive mund të bënte mrekulli për imazhin e markës pas viteve të krizave dhe dëmeve. Audi po përgatitet për “TT Moment 2.0”, ndaj ndoshta është koha që edhe motra e saj popullore të bëjë të njëjtën gjë. /AutoPortali

TË FUNDIT