Blerja e një makine “low cost” (makina me kosto të ulëta) apo përdorimi i mjeteve të vjetra mund të shndërrohet në një rrezik serioz për sigurinë rrugore.
Paralajmërimi vjen nga ikona e dizajnit automobilistik, Giorgetto Giugiaro, 87 vjeç, i cili pak javë më parë shpëtoi për mrekulli nga një aksident i rëndë.

Pas vitit 2024, vit i vështirë për industrinë e automjeteve, tregu nuk po njeh përmirësime, shkruan Reportmotori, transmeton AutoPortali.
Çmimet e larta të makinave të reja kanë shtyrë shumë përdorues të orientohet drejt tregut të makinave të përdorura, ose të mbajnë mjetet ekzistuese edhe pse shumë të amortizuara. Por kjo zgjedhje, sipas ekspertëve, sjell pasoja të rënda për sigurinë.
Makinat e vjetra, sidomos ato pa mirëmbajtje të rregullt, janë më të ekspozuara ndaj defekteve gjatë udhëtimit dhe ofrojnë mbrojtje minimale në rast aksidenti.
Pikërisht këtë ka theksuar Giugiaro, i cili pësoi frakturë në tre vertebra kur Land Rover Defender-i i tij u përmbys në një kthesë në Sardenjë, duke rënë rreth 20 metra në një humnerë.
“Kam pasur fat që isha në një makinë me shumë airbagë, me strukturë tepër të fortë dhe teknologji moderne që më shpëtuan jetën. Nëse do të isha në një makinë 15-vjeçare, nuk do të kisha dalë gjallë”, tha Giugiaro për Gazzetta Motori.
Teknologjia e avancuar e Defender-it nga airbagët inteligjentë te rripat pretensionues – i mundësoi 87-vjeçarit të dilte vetë nga automjeti, pa ndihmën e zjarrfikësve.
“Sot siguria është drejtpërdrejt e lidhur me koston”, thekson Giugiaro, duke shtuar se burimet e kufizuara të qytetarëve janë problemi kryesor. Statistikat flasin qartë: një makinë e re ofron shtatë herë më shumë gjasa për të mbijetuar në një aksident, krahasuar me një mjet të vjetër.



