Një 38-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në bulevardin “Bajram Curri”, gjatë orëve të natës, një ditë më parë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 reaguan menjëherë pas marrjes së informacionit për vjedhjen dhe organizuan një plan të shpejtë operativ për kapjen e autorit. Si rezultat, u ndalua shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, i njohur më parë për vepra të ngjashme penale, shkruan AutoPortali.
Automjeti i vjedhur u gjet pranë banesës së të dyshuarit dhe u sekuestrua si provë materiale.
Ndaj 38-vjeçarit janë përgatitur materialet procedurale, të cilat i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.



