Kompania suedeze e makinave Volvo ka lëshuar një paralajmërim urgjent për një defekt serioz në sistemin e frenimit që prek modelet elektrike dhe hibride plug-in, përfshirë ato që datojnë që nga viti 2020. Paralajmërimi është rezultat i një thirrjeje zyrtare për rikthim të mjeteve (recall) të regjistruar më 12 qershor, që përfshin 11,469 automjete.
Sipas të dhënave të fundit, deri më 15 korrik, rreth 1000 prej tyre nuk kanë kryer ende përditësimin përmes sistemit “over-the-air”, çka e ka shtyrë Volvo të lëshojë një njoftim të dytë me paralajmërimin “Mos e ngisni makinën” për të gjithë pronarët që nuk e kanë instaluar ende përditësimin, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
Modelet e prekura nga defekti
Modelet elektrike C40 (2023), EC40 (2025) dhe XC40 (2023–2024).
Modelet hibride plug-in: EX40 (2025–2026), S60 (2023–2025), S90 (2025), XC60 (2022–2026), V60 (2024–2025) dhe XC90 (2020–2026).
Sipas paralajmërimit të Volvo dhe Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada të SHBA (NHTSA), përdorimi i vazhdueshëm i frenimit rigjenerues për më shumë se 1 minutë e 40 sekonda mund të shkaktojë një humbje totale të funksionit të frenimit.
Për të parandaluar rrezikun, shoferëve u kërkohet që të çaktivizojnë modalitetin “B” në modelet hibride plug-in, si dhe modalitetin me një pedal (one-pedal mode) në makinat elektrike, derisa të kryhet përditësimi.



