Volvo rikthen XC70, tani si SUV hibrid me mbi 200 km autonomi elektrike
V

Volvo rikthen XC70, tani si SUV hibrid me mbi 200 km autonomi elektrike

Volvo ka rikthyer modelin XC70, i cili ishte ndërprerë në vitin 2016, por këtë herë në një formë krejt tjetër, një SUV plug-in hybrid me mbi 200 kilometra autonomi elektrike (124 milje) sipas ciklit CLTC.

Sipas Autoblog, modei i ri është i pari me rreze të gjatë në gamën e Volvo-s dhe ndërtohet mbi platformën Scalable Modular Architecture (SMA), të zhvilluar nga Geely për PHEV me rreze të zgjeruar.

Ai është për momentin i destinuar për tregun kinez, me mundësi që më pas të ofrohet edhe në Europë, transmeton AutoPortali.

XC70 i ri mund të përshkojë mbi 1200 kilometra të kombinuara (746 milje) falë motorit me djegie që rimbushet duke gjeneruar energji për baterinë.

Në karikim, arrin 80% kapacitet brenda vetëm 23 minutash dhe ofron gjithashtu funksion “bi-directional charging”, duke furnizuar pajisje të jashtme si gjatë kampeve.

Nga pikëpamja e dizajnit, SUV-i i ri është një shkëputje totale nga silueta klasike e karrocës XC70.

Linja moderne, grila e mbyllur me panele aktive, ndriçimi vertikal dhe aerodinamika e përmirësuar e afrojnë më shumë me modelet e reja elektrike të Volvo-s si EX90.

Në brendësi, fokusi është te hapësira dhe komforti premium: materiale cilësore, shumë hapësira depozitimi dhe një përvojë zanore tërësisht e optimizuar.

Kabina përfshin një ekran qendror horizontal 15.4 inç, një panel digjital shoferi 12.3 inç dhe një head-up display me realitet të shtuar prej 92 inçesh.

Teknologjitë e sigurisë janë pjesë qendrore e paketës, përfshirë sistemin Safe Space Technology me radarë, kamera dhe sensorë për të shmangur përplasjet, paralajmërime për çeljen e derës në prani çiklistësh dhe asistencë për ndryshim automatik korsie, parkim inteligjent dhe navigim aktiv.

Prodhimi tashmë ka nisur dhe porositë paraprake janë të hapura në Kinë, duke shënuar rikthimin zyrtar të një emri të njohur, por në një identitet krejt të ri. Ende mbetet e paqartë nëse do të ofrohet ndonjëherë në tregun amerikan. /AutoPortali

TË FUNDIT