Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, beson se Kimi Antonelli do të mësojë nga gabimet që i humbën një mundësi më të mirë për fitore në Çmimin e Madh të Austrisë.
Piloti italian humbi mundësinë për pole position në kualifikuese pasi e ngatërroi një flamur të verdhë të vetëm me një të verdhë të dyfishtë, ndërsa në garë u tregua tepër agresiv në xhirot e para, duke humbur pozicione gjatë përpjekjes për të kaluar Charles Leclercun.
“Gara u humb në kthesat e para. Ai frenoi vonë disa herë, por kjo është pjesë e procesit të të mësuarit”, tha Wolff. “Ashtu si gabimi me flamurin e verdhë në kualifikuese, jam i bindur se nuk do ta bëjë më kurrë”.
Antonelli pranoi përgjegjësinë për gabimet, duke thënë se ishte tepër i emocionuar në fillim të garës.
“Nuk vozita mirë në xhirot e para dhe bëra shumë gabime. Humbja disa sekonda edhe për shkak të problemeve me frenat, por pas ndërrimit të gomave ritmi im u përmirësua ndjeshëm”, u shpreh 19-vjeçari.
Sipas tij, pa gabimet e bëra do të kishte pasur mundësi të luftonte për vendin e dytë ose edhe për fitore.
“Gabimet ndodhën, por tani duhet të sigurohem që të mos përsëriten më”, përfundoi Antonelli.



