Një Toto Wolff i lumtur dhe në qiellin e shtatë këtë sezon të Formula 1, me Mercedes që i ka fituar tri garat e para sezonale. Një me George Russell dhe dy me Kimi Antonellin. Është e pamundur të bësh më mirë, sidomos duke marrë parasysh dominimin e demonstruar në këtë pjesë të parë të sezonit.
Makinat gjermane po fluturojnë, me italianin Kimi Antonelli që kryeson kampionatin dhe askush nuk duket se është në gjendje të sfidojë dominimin e tyre. As Max Verstappen, i cili po mendon të dalë në pension: “Nuk po argëtohem më“, tha holandezi, që për momentin është e kundërta e Wolff, entuziast.
Pikëpamja e menaxherit austriak është optimiste dhe nuk e fsheh këtë: “Po bëhet një garë e pastër dhe shumë emocionuese. Mund të shihni kur dikush po kursen energji dhe kur po e përdor atë. Strategjia është e rëndësishme dhe energjia po bëhet një nga elementët që mund të bëjë ndryshimin”.

“Formula 1 po ndryshon, po bëhet garë e pastër. Të shohësh një pilot që rimbush baterinë dhe tjetrin ta përdorë atë është emocionuese. Po flasim për një shkencë garash që po zhvillohet dhe është në duart e pilotëve. Ndoshta Max dhe të tjerët preferuan rregullat e vitit të kaluar, kur nuk pamë pothuajse asnjë parakalim në Suzuka”, tha Wolff.



