Xhaka rrëfen pse zgjodhi Sunderlandin
X

Xhaka rrëfen pse zgjodhi Sunderlandin

Granit Xhaka ka zbuluar detaje interesante rreth vendimit të tij për t’u transferuar te Sunderland këtë verë, duke theksuar rolin vendimtar që patën disa ish-lojtarë të klubit anglez.

Ish-mesfushori i Arsenalit u transferua te “Macet e Zeza” për një shumë prej 17 milionë funtesh, menjëherë pas rikthimit të Sunderlandit në Premier League pas një mungese të gjatë.

Klubi nuk vonoi ta emëronte Xhakën kapiten, ndërsa 33-vjeçari po paraqitet në formë të shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit Regis Le Bris, duke ndihmuar skuadrën të ngjitet në pjesën e lartë të tabelës dhe të synojë edhe kualifikimin në Evropë, shkruan The Sun.

Xhaka ka pranuar se planet e tij fillestare ishin të ndryshme, pasi ai kishte menduar ta përfundonte karrierën në Gjermani.

Pas largimit nga Arsenali, mesfushori kishte nënshkruar një kontratë afatgjatë me Bayer Leverkusenin, duke besuar se aty do të ishte stacioni i fundit i karrierës së tij.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi kur Sunderland e kontaktoi dhe i ofroi një sfidë të re. Pas bisedimeve me familjen, Xhaka u këshillua edhe nga dy ish-lojtarë të klubit: Jermain Defoe, ish-sulmuesi i njohur i Tottenhamit që pati një periudhë të suksesshme te Sunderland, dhe Lorik Cana, i cili iu bashkua klubit në vitin 2009 dhe la gjurmë te tifozët.

“Nuk prisja të kthehesha në Premier League, por vendimi im erdhi shumë shpejt”, deklaroi Xhaka për revistën FourFourTwo.

“Fola me Kyril [Louis-Dreyfus], fola me Jermain Defoe dhe fola me Lorik Canën, i cili ka një prejardhje të ngjashme me timen dhe ka pasur një periudhë të shkëlqyer këtu në Sunderland. Kyril ishte shumë i hapur që nga fillimi. Kur fillon ta shohësh veten pjesë të këtij klubi, pyet ish-lojtarët dhe si Jermaini ashtu edhe Loriku folën shumë mirë për klubin dhe tifozët”, shtoi kapiteni i Sunderlandit.

Xhaka kujtoi gjithashtu kontratën e tij në Gjermani, duke theksuar se largimi nga Arsenali drejt Leverkusenit ishte menduar si një hap afatgjatë.

“Kur u largova nga Arsenali për në Leverkusen, nënshkrova një kontratë pesëvjeçare. Për një 30-vjeçar ishte një kontratë e gjatë, sepse mendoja se doja ta përfundoja karrierën në Gjermani dhe më pas të shihja çfarë do të ndodhte”, u shpreh ai.

Në fund, mesfushori shqiptar theksoi rëndësinë e familjes në marrjen e vendimit për t’u bashkuar me Sunderlandin.

“Pas bisedimeve me klubin, u ula me familjen dhe menduam: ‘Çfarë të bëjmë?’ Në këtë fazë nuk ka të bëjë vetëm me mua, por me gruan, fëmijët, vëllain dhe prindërit. Është shumë e rëndësishme të marrim vendimin e duhur së bashku, si një grup”, përfundoi Xhaka. /AutoPortali

TË FUNDIT