E ardhmja e Xherdan Shaqirit mund të jetë larg Baselit, me yllin kosovaro-zviceran që nuk e përjashton mundësinë e një angazhimi te Rapperswil Jona, klubi zviceran ku tashmë zotëron një pjesë të aksioneve.
Në një intervistë të gjatë për mediumin zviceran “Blick”, Shaqiri ka folur hapur për përfshirjen e tij në Rapperswil, ekip që garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran, duke theksuar se investimi i tij nuk është i rastësishëm.
“Unë nuk jam përfshirë në Rapperswil pa arsye. Kemi plane të mëdha për klubin. Është një hap i mirë për të parë nga afër aspektet e ndryshme të drejtimit të një klubi, por njëkohësisht kërkon shumë punë. Mundohem të ndjek çdo ndeshje në shtëpi, kur është e mundur”, ka deklaruar Shaqiri.
Ylli kosovar ka bërë të ditur se ende nuk e di nëse në të ardhmen do të marrë rolin e drejtuesit të ndonjë klubi, por ka konfirmuar se është duke punuar për t’u pajisur edhe me licencat e trajnerit.
Sidoqoftë, ai është i bindur se do të mbetet pjesë e futbollit edhe pas përfundimit të karrierës aktive si lojtar.
“Ndoshta do të luaj vetë për Rapperswilin. Kjo është qartësisht një mundësi.
Klubi do të festojë 100-vjetorin në vitin 2028. Tani e dini synimin tim për të ardhmen”, është shprehur Shaqiri me humor.
Në fund, Shaqiri ka zbuluar gjithashtu se gjatë verës së ardhshme planifikon të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku synon të ndjekë nga afër disa prej ndeshjeve të Kupës së Botës në futboll, ndoshta edhe finalen. /AutoPortali



