Federata e Xhudos e Kosovës ka njoftuar se tre xhudistë të rinj do të përfaqësojnë Kosovën në Kupën Evropiane për Kadetë, që zhvillohet nesër dhe pasnesër në Kranjska Gora të Sllovenisë.
Në këtë garë prestigjioze, Kosova do të përfaqësohet nga Jon Kuka në kategorinë -55 kg, si dhe Roni Reshitaj e Milot Gashi në kategorinë -66 kg.
Sipas Federatës, në këtë kampionat do të marrin pjesë 432 garues nga 21 shtete dhe katër kontinente, çka e bën ngjarjen një ndër më të mëdhatë për moshat e reja në Evropë.
Xhudistët kosovarë shoqërohen nga trajnerja Majlinda Kelmendi, kampione olimpike dhe botërore, e cila do të udhëheqë talentet e rinj drejt një tjetër paraqitjeje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. /AutoPortali




