Kompania kineze Xiaomi do të lançojë më 26 qershor automjetin e saj të dytë elektrik, SUV-in YU7, në një ngjarje të madhe të markës ku do të prezantohen edhe pajisje të tjera të reja, përfshirë telefonin e palosshëm Xiaomi Flip2 dhe tabletin Pad 7S Pro.
YU7 është SUV-i i parë elektrik i Xiaomi-t, pas suksesit të sedanit SU7 që debutoi vitin e kaluar.
Ai është ndërtuar mbi platformën Modena, të përbashkët me SU7-n, dhe ka një siluetë fastback, por me çati më të ngritur për të rritur komoditetin në pjesën e pasme. Me gjatësi rreth 4.8 metra, ky SUV i mesëm është i përshtatshëm për përdorim familjar dhe përbën sfidë të drejtpërdrejtë për Tesla Model Y.
Prodhimi masiv tashmë ka nisur në fabrikën e automjeteve elektrike të Xiaomi-t në Yizhuang të Pekinit, dhe dorëzimet e para pritet të fillojnë në korrik.
Mijëra njësi të përfunduara janë parë në impiant, gjë që tregon përgatitjen e Xiaomi-t për të shmangur vonesat që shoqëruan nisjen e SU7-s, shkruan CarNewsChina.
YU7 do të vijë me dy opsione motorikë:
– Versioni standard me fuqi totale 365 kW (489 kuaj-fuqi) dhe tërheqje integrale me dy motorë
– Versioni sportiv me fuqi maksimale 508 kW (681 kuaj-fuqi)
SUV-i mbështet arkitekturë elektrike 800V dhe përdor bateri litium-jon nga BYD dhe CATL, transmeton AutoPortali.
Brenda kabinës, YU7 ndan shumë elemente me SU7-n:
– Ekran infotainment prej 16.1 inç
– Sistemi operativ HyperOS i Xiaomi-t
– Procesor Snapdragon 8295
– Çip Nvidia Drive Orin për drejtim gjysmë-autonom (L2+) me sistemin Xiaomi Pilot Pro, si dhe lidar dhe sensorë të avancuar për ndihmë gjatë ngasjes.
Çmimi bazë pritet të jetë 245,900 yuan (rreth 34,100 dollarë amerikanë), një strategji agresive për të fituar terren në segmentin gjithnjë e më të ngjeshur të SUV-ve elektrikë.
Ndërkohë, Xiaomi po zgjeron edhe infrastrukturën e saj të automjeteve elektrike:
– Ka blerë një zonë industriale prej 485,100 m² në Pekin për 635 milionë yuan (rreth 87.5 milionë USD)
– Ka krijuar një filial të ri në Shangai, që do të fokusohet në shitje, qira dhe shërbime mbështetëse për automjetet elektrike të reja (NEV). /AutoPortali



