Përzgjedhësi i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka folur sot në konferencën zyrtare për media para ndeshjes së fundit kualifikuese ndaj Kosovës, e cila zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sfida pritet me shumë interes si nga tifozët vendas, ashtu edhe nga ata zviceranë, për shkak të historisë së përbashkët dhe lidhjeve të forta mes dy vendeve.
Megjithatë, Yakin u siguroi gazetarëve se aspekti emocional nuk do të ketë rol në ndeshje.
Ai theksoi se këtë herë nuk mund të flitet për një “duel vëllazëror”, siç kishte deklaruar më herët në përballjet e kaluara.
“Pjesën emocionale e kemi lënë pas. Nesër nuk ka me pasë ‘duel vëllezërish’. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme dhe ne jemi këtu për të bërë punën tonë. Thjesht: gati, vendosuni, nisemi”, tha trajneri zviceran.
Yakin vlerësoi paraqitjet e fundit të Kosovës, duke përmendur se Dardanët kanë ditur të befasojnë në ndeshjet kundër Suedisë dhe Sllovenisë me kalimin e hershëm në epërsi.
Sipas tij, kjo është një arsye më shumë që Zvicra duhet të hyjë në fushë me kujdes të shtuar dhe me përqendrim maksimal.
“Ata kanë kaluar shpejt në epërsi kundër Suedisë dhe Sllovenisë. Ne duam ta zhvillojmë lojën tonë, të kemi kontroll dhe të përpiqemi të shënojmë gola përmes ofensivës sonë”, u shpreh ai.



