Zabërgja ftohet tek Kosova për ndeshjet e shtatorit
Z

Zabërgja ftohet tek Kosova për ndeshjet e shtatorit

Baton Zabërgja, përforcimi më i ri i klubit ukrainas Metalist 1925, është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e rëndësishme të muajit shtator, të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi ukrainas përmes një njoftimi zyrtar, vetëm një ditë pas prezantimit të sulmuesit vushtrrias si lojtar i ri i tyre.

Zabërgja iu bashkua Metalist 1925 ditë më parë, pas transferimit nga skuadra shqiptare Dinamo City, ku pati paraqitje të mira që tërhoqën vëmendjen e skautëve ndërkombëtarë.

Vetëm 24 orë pas prezantimit të tij në Ukrainë, klubi i ri njoftoi me krenari se lojtari është përzgjedhur nga përfaqësuesja e Kosovës për dy përballjet e radhës në grupin kualifikues për Botërorin.

“Lojtari i sapoardhur në Metalist 1925, Baton Zabërgja, është ftuar në ekipin kombëtar të Kosovës për ndeshjet e shtatorit për Kupën e Botës 2026,” – thuhet në komunikatën e klubit.

Kosova do të përballet fillimisht me Zvicrën më 5 shtator në ndeshje që do të luhet jashtë vendit, ndërsa më 8 shtator do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo është ftesa e gjashtë zyrtare për Zabërgjën nga përzgjedhësi i Kosovës, megjithatë ai ka regjistruar vetëm një paraqitje deri më tani – në miqësoren kundër Armenisë, ku luajti për 82 minuta. Me formën e tij të qëndrueshme dhe një aventurë të re në Ukrainë, sulmuesi 24-vjeçar ka rastin të tregojë më shumë dhe të fitojë më shumë hapësirë në fanellën “Dardane”.

TË FUNDIT