Zbulohet pasioni i fshehtë i legjendarit Ayrton Senna
Z

Zbulohet pasioni i fshehtë i legjendarit Ayrton Senna

Një objekt privat dhe tepër i rrallë i Ayrton Senna-s ka dalë në dritë pas disa dekadash. Një model aeroplani akrobatik, i ndërtuar dhe firmosur vetëm për të. Ky objekt i veçantë zbulon anën më njerëzore dhe më pak të njohur të kampionit legjendar të Formula 1.

Me rastin e Çmimit të Madh të Brazilit 2025, në platformën e ankandeve Catawiki po shitet një pjesë unike nga jeta private e Senna-s: “Senna Speed”, një aeroplan akrobatik me telekomandë, i krijuar me dorë nga shtatë herë kampioni botëror i aeromodelizmit Hanno Prettner. Ai u ndërtua posaçërisht për Senna-n, u pilotua vetëm prej tij dhe mban nënshkrimin origjinal të tij në krahun e majtë.

Modeli, që ka qëndruar për dekada në koleksionin e Prettner në Austri, është në gjendje të shkëlqyer dhe ende i aftë për fluturim. Ai është pajisur me një motor Rossi 61 10 cc që zhvillon deri në 3.5 kuaj fuqi dhe mund të arrijë shpejtësi 260–300 km/h.

Sipas ekspertëve të Catawiki, vlera e objektit vlerësohet midis 25.000 dhe 75.000 euro, ndërsa nënshkrimet autentike të Senna-s janë “jashtëzakonisht të rralla”.

Prettner kujtoi miqësinë e tyre të veçantë:

“Ayrton ishte një pilot modeli i apasionuar dhe shumë i aftë. Ai e donte ndjesinë e shpejtësisë dhe thoshte se reagimi i menjëhershëm i këtyre avionëve ishte i ngjashëm me atë që kërkonte në Formula 1”.

“Senna Speed” mbetet një simbol i lidhjes njerëzore mes dy kampionëve, njëri në qiell, tjetri në asfalt dhe një dëshmi e pasionit të fshehtë që e frymëzonte edhe larg pistës.

TË FUNDIT