Zelanda e Re vendos tarifa për turistët e huaj në katër atraksione natyrore të njohura
Qeveria e Zelandës së Re ka njoftuar se do të vendosë tarifa hyrjeje për turistët e huaj që vizitojnë katër nga atraksionet e saj natyrore më të famshme. Masa synon të gjenerojë të ardhura për ruajtjen e natyrës dhe njëkohësisht të rrisë mundësitë e punësimit.
“Turistët japin një kontribut të madh në ekonominë tonë, dhe askush nuk do që kjo të ndryshojë,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Tama Potaka, shkruan Euronews.
“Por, miqtë e mi nga jashtë më kanë thënë shumë herë sa të habitur janë që mund të vizitojnë disa nga vendet më të bukura në botë pa paguar asgjë.”, transmeton AutoPortali.
Sipas planit të propozuar, vizitorët e huaj do të paguajnë nga 20 deri në 40 dollarë të Zelandës së Re (përafërsisht 10–20 euro) për të hyrë në vendet natyrore të përzgjedhura. Tarifat pritet të krijojnë deri në 32 milionë euro në vit, të cilat do të investohen drejtpërdrejt për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre zonave.
Atraksionet e para ku do të aplikohet tarifa janë: Cathedral Cove/Te Whanganui-a-Hei, Tongariro Crossing, Milford Sound dhe Aoraki Mount Cook, vende ku turistët e huaj përbëjnë rreth 80% të vizitorëve totalë.
“Është e drejtë që në këto zona të veçanta, vizitorët ndërkombëtarë të japin një kontribut shtesë,” tha Potaka.
Sipas tij, të ardhurat do të përforcojnë bazën që e mban të gjallë industrinë e turizmit në Zelandën e Re, ndërsa hyrja për qytetarët vendas do të mbetet falas. “Është trashëgimia jonë e përbashkët, dhe Kiwis nuk duhet të paguajnë për ta parë atë,” u shpreh kryeministri Christopher Luxon.
Tarifat pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027, si pjesë e një plani më të gjerë ekonomik për rritjen e pagave dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kritikë e fortë: “Dobësimi më i madh i ligjit për ruajtjen e natyrës në një brez”
Sipas ministrit Potaka, ky plan shfrytëzon potencialin e pazhvilluar të turizmit brenda tokave të mbrojtura publike që përbëjnë një të tretën e territorit të Zelandës së Re për shkak të “rregullave të vjetruara”.
Ndryshimet do të përfshijnë edhe një reformë më të gjerë të ligjit për mbrojtjen e natyrës, që do ta bëjë më të lehtë shitjen, shkëmbimin apo përdorimin komercial të këtyre tokave pa nevojën e lejeve specifike.
“Kemi biznese të jashtëzakonshme që operojnë në këto zona nga ecjet me guida dhe fushat e skive, deri te xhirimet e dokumentarëve, rritja e bagëtive, koncertet dhe ndërtimi i kullave të telefonisë,” tha kryeministri Luxon.
“Por për të bërë gjithçka prej këtyre, kërkohet koncesion dhe sistemi i koncesioneve është i prishur, shpesh merr vite për t’u miratuar dhe i mban bizneset në një cikël burokratik pa fund.”
Por kritikët paralajmërojnë se zbutja e rregulloreve mund të dëmtojë biodiversitetin dhe mjedisin në këto zona të mbrojtura.
Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër, Chlöe Swarbrick, e akuzoi qeverinë për zgjedhje të motivuara nga fitimi në kurriz të natyrës: “Kjo na tregon gjithçka që duhet të dimë për kë e përfaqëson ai. Nuk është populli i zakonshëm, gjeneratat e ardhshme apo një mjedis i shëndetshëm,” deklaroi ajo për The Guardian.
Ndërsa, drejtuesja e organizatës më të madhe për ruajtjen e natyrës në Zelandën e Re, Forest & Bird, Nicola Toki, tha se reformat do të hapin rrugën për “propozime të ngushta dhe të rrezikshme që do të çonin në shitje apo shfrytëzim të zonave që na përkufizojnë si komb”.
“Kjo duket më shumë si një ankand online ndërkombëtar sesa një politikë serioze. Nuk mund të lejojmë që një mandat trevjeçar të shkatërrojë mbi tre miliardë vjet evoluimi natyror,” përfundoi ajo. /AutoPortali