Pas gati tri dekadash eksperimentimesh dhe zhvillimesh, teknologjia e zgjeruesve të gamës po merr një hov të ri me lançimin e produkteve të reja nga ZF Friedrichshafen. Kompania gjermane, një ndër furnizuesit më të mëdhenj të industrisë automobilistike në botë, ka prezantuar sistemet eRE dhe eRE+, të cilat pritet të jenë gati për tregun në vitin 2026.
Këto zgjerues të gamës ofrojnë një alternativë funksionale ndaj motorëve tradicionalë me benzinë apo naftë, duke përmirësuar efikasitetin e automjeteve elektrike pa kompromentuar përvojën e drejtimit. Në thelb, një zgjerues i gamës (range extender) është një sistem që përdor një motor me djegie të brendshme si gjenerator për të karikuar baterinë e një automjeti elektrik, duke shtuar ndjeshëm distancën që mund të përshkohet me një karikim, transmeton AutoPortali.
Ndryshe nga një hibrid i zakonshëm, këtu motori me djegie nuk i vë në lëvizje drejtpërdrejt rrotat, por furnizon energji për baterinë, e cila më pas i jep fuqi motorit elektrik. Kjo qasje, e njohur teknikisht si hibrid në seri, lejon një funksionim më të qëndrueshëm dhe efikas, duke reduktuar varësinë nga karburantet fosile pa sakrifikuar autonominë, shkruan AutoCar.
Produktet e reja të ZF, eRE dhe eRE+, shtyjnë më tej këtë koncept. eRE+ përfshin një sistem më kompleks, me ingranazhe planetare dhe mundësi për tërheqje në të gjitha rrotat, duke rritur fleksibilitetin në kushte të ndryshme rrugore. Fillimisht të zhvilluara në qendrën teknike të ZF në Shangai, këto teknologji synojnë tregje me kërkesë të lartë si Kina, por pritet të përhapen edhe globalisht.
Me këtë hap, ZF jo vetëm që konfirmon rolin e saj si lider në zhvillimin e teknologjive automobilistike, por edhe jep një shtysë të re për adoptimin më të gjerë të automjeteve elektrike, duke ofruar një zgjidhje praktike për sfidën e autonomisë.



