Një ish-stjuardesë e British Airways ka zbuluar pse nuk rekomandohet të uleni në fund të aeroplanit, dhe arsyeja nuk ka të bëjë fare me sigurinë.
Pas viteve të tëra duke fluturuar nëpër botë, Jane Hawkes e cila tani drejton një faqe këshillimi për konsumatorët, Lady Janey thotë se zgjedhja e vendit në avion ndikon shumë në përjetimin e lodhjes nga udhëtimi, të njohur ndryshe si jet lag.
“Zgjedhja e një vendi larg fundit të avionit është mënyra më e mirë për të shmangur jet lag-un,” thekson Jane për The Sun, transmeton AutoPortali.

“Nëse e keni të vështirë të flini në avion dhe keni fluturim natën vonë, gjithmonë këshilloj të shmangni ulëset në fund dhe afër kuzhinës (galerisë), sepse aty zakonisht ka më shumë zhurmë.”
Ajo shton se pasagjerët që e kanë të vështirë të përshtaten me ndryshimin e orës lokale, duhet të vendosin orën sipas destinacionit menjëherë dhe të shmangin fluturimet natën nëse kanë probleme me gjumin.
“Ndryshimet graduale në rutinën e gjumit dhe ushqimit disa ditë para fluturimit ndihmojnë shumë për t’u përshtatur më lehtë me zonën e re kohore,” thotë ajo.
Një tjetër këshillë e fortë: shmangni alkoolin dhe kafen para dhe gjatë fluturimit.
“Mund të duket joshëse të pini diçka para nisjes apo edhe në bord sidomos nëse përfshihet në biletë por alkooli dehidraton trupin dhe ndërpret gjumin, duke e bërë jet lag-un edhe më të rëndë.”

Kafeina, edhe pse ndonjëherë ndihmon për të fjetur më shpejt, ndikon negativisht në cilësinë e gjumit.
Jane këshillon gjithashtu që pasagjerët të mos bëjnë plane sfiduese menjëherë pas arritjes, sepse përballja me një ambient të panjohur nën efektin e jet lag-ut mund të jetë stresuese.
“Nëse duhet, bëni ndonjë gjumë të shkurtër, por mos flini më shumë se 30 minuta. Përndryshe, do ta keni më të vështirë të flini natën dhe do të vononi përshtatjen me orën lokale,” – sugjeron ajo.
Por jo të gjithë pajtohen me këto këshilla për vendin në avion.
Eksperti i sigurisë së fluturimeve, Daniel Kwasi Adjekum, nga Universiteti i Dakotës së Veriut në SHBA, ka pohuar më herët për Wired se fundi i avionit është zona më e sigurt në rast përplasjeje.
“Seksioni i përparmë, natyrisht, është më komod për shkak të largësisë nga motorët dhe zhurma… por është edhe pika e parë e përplasjes. Prandaj është zona më e rrezikuar,” – shpjegon ai.
Një studim i vitit 2015 e konfirmon këtë:
- Vendët në mes të kabinës kishin normën më të lartë të fatalitetit (39%)
- Pas tyre vijnë vendet përpara (38%)
- Ndërsa vendet në fund kishin normën më të ulët të fatalitetit: vetëm 32%
Pra, ndërsa fundi i avionit mund të jetë më pak komod për gjumë, në aspektin e sigurisë fizike – është më i favorshëm.
Ndërkohë, stjuardesë të tjerë kanë ndarë edhe detaje më pak të këndshme – si fakti që nuk do të vishnin kurrë disa veshje të caktuara në avion, apo se peshqirët e nxehtë falas që shpërndahen gjatë fluturimeve nuk janë aq të pastër sa duken. /AutoPortali



