Manchester City zyrtarizon transferimin e Antoine Semenyo nga Bournemouth
Manchester City ka finalizuar transferimin e sulmuesit Antoine Semenyo nga Bournemouth, në një marrëveshje me vlerë minimale prej 62.5 milionë funta.
Futbollisti ganez, 26 vjeç, ka nënshkruar kontratë afatgjatë me kampionët e Anglisë deri në qershor të vitit 2031 dhe do të mbajë fanellën me numrin 42 në “Etihad Stadium”.
Ky transferim përfaqëson shitjen më të madhe në historinë e Bournemouthit.
Sipas raportimeve të mediave angleze, klubi anglez do të përfitojë një pagesë fillestare prej 62.5 milionë paundësh, ndërsa Manchester City ka arritur të negociojë një marrëveshje më të favorshme se klauzola e lirimit prej 65 milionë paundësh që ishte e përfshirë në kontratën e lojtarit. Pagesa do të realizohet brenda një periudhe 24-mujore.
Përveç shumës bazë, Bournemouth mund të arkëtojë edhe 1.5 milionë paundë shtesë në formë bonusesh të lidhura me performancën e Semenyos, si dhe 10 për qind të fitimit nga një shitje e mundshme e ardhshme e lojtarit.
Semenyo iu bashkua Bournemouthit nga Bristol City në janar të vitit 2023 dhe me kalimin e kohës u shndërrua në një nga sulmuesit më të spikatur të Premier League.
Sezonin e kaluar ai realizoi 11 gola në kampionat, shifra më e lartë e karrierës së tij, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha si Chelsea, Liverpool, Manchester United dhe Tottenham.
Megjithatë, gjatë verës, sulmuesi kishte rinovuar kontratën me Bournemouth, çka kishte zbehur frikën për një largim të menjëhershëm para nisjes së sezonit të ri.
Pavarësisht kësaj, City arriti të sigurojë shërbimet e tij pas paraqitjeve mbresëlënëse këtë edicion.
Deri tani këtë sezon, Semenyo ka regjistruar 10 gola në 21 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa goli i tij i fundit ishte vendimtar, i shënuar në minutat shtesë në fitoren dramatike 3-2 të Bournemouthit ndaj Tottenhamit.
I lindur në Angli, Antoine Semenyo përfaqëson kombëtaren e Ganës, me të cilën ka zhvilluar 32 paraqitje dhe ka shënuar tre gola./AutoPortali



