248 gjoba janë shqiptuar ndaj pronarëve të automjeteve me xhama të errësuar, në rajonin e Gjilanit vetëm gjatë muajit maj.
Kështu ka njoftuar Policia e Gjilanit teksa ka shtuar se pronarët e këtyre automjeteve kanë shkelur Ligjin Nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikur Rrugor, që ndalon modifikimin e xhamave të automjeteve që kufizojnë dukshmërinë brenda dhe jashtë mjetit pa aprovim të autoritetetit përkatës, përcjell AutoPortali.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej dyqind e dyzet e tetë (248) gjoba ndaj ngasësve të cilët kanë shkelur nenin 248, paragrafi 2, nën paragrafi 2.7 ‘’janë bërë ndryshime në mjet pa iu nënshtruar atestit përkatës‘’ të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Gjilanit.
Po ashtu, Policia e Gjilanit ka apeluar të gjithë ngasësit e automjeteve të respektojnë ligjet në fuqi, dhe t’i largojnë foljet e errëta prej xhamave pa autorizim, në mënyrë që të shmangën masat ndëshkuese ndaj tyre dhe të kontribuojnë për një mjedis më të sigurt rrugor për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. /AutoPortali



