Ndihmat aq shumë të nevojshme kanë mbërritur në Gaza. 200 tonë ushqim kanë mbërritur me maune dhe përfshinin oriz, miell, bishtajore, perime të konservuara dhe proteina të konservuara.
Anija spanjolle Open Arms u largua nga Qipro të martën dhe shënon një pikë kthese shumë të rëndësishme në ndihmën e domosdoshme që i nevojitet Gazës, pasi sipas OKB ajo është në prag urie.
Pamjet e shpërndara tregojnë një bankinë të ndërtuar me qëllim e që shtyhet nga 2 gomone. Ushqimet u dorëzuan nga World Central Kitchen (WCK), në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), megjithatë mbetet pa një përgjigje se si do të bëhet shpërndarja e tyre.
Nëse ky mision detar konsiderohet i suksesshëm, anije të tjera ndihmash ka të ngjarë të pasojnë si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të dhënë më shumë ndihmë në Gaza.
Operacionet ushtarake dhe prishja e rendit shoqëror kanë penguar rëndë shpërndarjen e ndihmave, ndërsa vetë prodhimi i ushqimit të Gazës është prekur rëndë, me ferma, furra buke dhe fabrika të shkatërruar, shkruan Gazeta Blic.
OKB-ja ka paralajmëruar se uria është “pothuajse e pashmangshme” në Gaza pa veprime urgjente dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell ka akuzuar Izraelin për krijimin e një fatkeqësie “të krijuar nga njeriu” dhe përdorimin e urisë si një armë lufte.