Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.
Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës vë vendin e homazheve.
Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë. Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare. Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.
Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, shkruan ATSH.
Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.



