Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se asnjëherë nuk ka pranuar ndojnë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos hapet për qarkullim Ura e Ibrit.
Në një konferencë për media gjatë vizitës në qytetin e Vitisë, ajo ka theksuar se përfaqësuesit amerikanë në bashkëbisedimet me të dëshirojnë që të bëhet një plan i përbashkët i zbatimit me institucionet kosovare për hapjen e urës në fjalë, njofton Klankosova.tv.
“Në takimet e mia me përfaqësues të ShBA-së asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraprarë hapjen e urës, por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë të ulemi bashkë, dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë”, ka thënë Osmani.
“Kjo që i nstitucionet e Kosovës te sigurisë dhe aleatët tanë të sigurisë të hartojmë bashkë planin e zbatimit, i cili i merr parasysh për bazë vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës, edhe të aleatëve tanë. Ju siguroj që në shumicën e rasteve ato janë identike sepse bashkëpunojnë, dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përzgjedhet momenti i volitshëm në mënyrë që çështja e hapjes së urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por sukses i përhershëm”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se i lutet qytetarëve të vendit që të punohet bashkë me ShBA-në dhe aleatët për hapjen e Urës së Ibrit.
“Në këtë situatë kur vërtetë në botë aleatët po merren me lloj lloj konflikte të tmerrshme, po e shohim edhe vet sa shumë vuajtje në botë këto konflikte po shkaktojnë, që të punojmë bashkë me njerëzit që gjithnjë kanë qenë në krahun tonë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
“Sa isha në Teksas, vizitova Teksas National Guard, ushtarakët që kishin shërbyer në Kosovë në kohën e aktit të agresionit në Banjskë në shtator, deklaruan: ‘Ne ishim të gatshëm të japim jetën që të mbrojmë Kosovën’”.
“Ushtarë të tillë që janë të japin jetën si ushtarët dhe policët tanë e meritojnë që të ulemi dhe të bisedojmë me ata. Besoj se është më e pakta, prandaj i lus edhe qytetarët tanë që lutjen e ShBA-së që të ulemi e të flasim me ata, mos ta marrin as si imponim e as si kundër Kosovës e aq më pak kundër hapjes së urës”.
“Sepse kjo do të ishte një logjikë kundër vet Kosovës, në qoftë se ne ndaj mikut përdorim taktika të njëjta si ndaj Serbisë, vërtetë është e pafalshme, është e pafalshme për një popull që sot ekziston për shkak se miqtë nuk ja kthyen shpinën në momentet më të rënda, mos ta harrojmë këtë në asnjë moment, sepse 99-ta nuk është larg, secilit prej neve na kujtohet ku kemi qenë dhe ku jemi sot, dhe çdo hap që e kemi bërë deri sot dhe çdo sukses e kemi bërë bashkë me miqtë që e duan Kosovën e pavarur dhe sovrane në kufijtë aktualë dhe të suksesshme, në aspektin ndërkombëtar”, ka thënë Osmani. /Klankosova.tv



