Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është kthyer në operim Njësia A4 në TC Kosova A, që nënkupton stabilitet të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se, pas një angazhimi të madh nga menaxhmenti dhe stafi i Termocentralit (TC) Kosova A, njësia A4 është rikthyer në operim”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
“Sanimi i defektit në kabllot e matjeve, i cili kishte ndodhur si pasojë e një lidhjeje të shkurtër, ka përfunduar nga profesionistët e korporatës në një kohë optimale”.
“Falë këtij vullneti dhe përkushtimi të menaxhmentit dhe stafit të TC Kosova A, startimi i njësisë ka filluar sot me dt: 20.10,2024 pas mesnate. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ajo është sinkronizuar me rrjetin elektrike në ora 05 : 04 dhe gjendja e saj tani është stabile”.
“Ky rikthim në operim i njësisë A4 përfaqëson një arritje të rëndësishme për KEK, duke kontribuar në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike në vend”.
“Ne falënderojmë të gjithë punonjësit për angazhimin e tyre dhe jemi të bindur se ky sukses do të ndikojë pozitivisht në operimet tona të ardhshme”.
“Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon të angazhohet për ofrimin e shërbimeve të besueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend”./KlanKosova/




