Ditën e djeshme ka vdekur Sanije Topanica, mamia e njohur llapjane, e cila ka qenë e njohur edhe për humanizmin e treguar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për vdekjen e saj njoftuar familjarët e saj, ndërsa ngushëllime shprehu edhe kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të mamisë llapjane Sanije Topanicës, e cila është e njohur veçanërisht për humanizmin e treguar në kohë lufte duke ndihmuar shumë gra në lindjen e foshnjave”.
“Shtëpia e zonjës Sanije në Podujevë ishte adresë e mijëra grave gjatë viteve 1990-1999. Ajo ishte adresë shpëtimi e grave shtatzëna edhe në kohë lufte duke asistuar në lindjen e mbi 180 foshnjave në ambulanten e fshatit Koliq dhe nën qiellin e hapur të maleve të Gollakut. Me punën dhe përkushtimin e saj, zonja Sanije u bë simbol i humanizmit dhe guximit në kohët më të vështira”.
“Kontributi i jashtëzakonshëm i saj në shpëtimin e jetëve dhe ndihma ndaj grave në kushte të rënda të asaj kohe do të kujtohet e vlerësohet gjithmonë”, shkroi Bulliqi, teksa u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë komunitetit shëndetësor. /Klankosova.tv



