SHBA dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë
S

SHBA dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Ministri, si përgjigje ndaj rolit të tyre të dyshuar në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare dhe protestuesve antiqeveritarë.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu sanksione ndaj Mirza Kezevadze, zëvendësshefit të departamentit të forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë më 19 dhjetor.

Departamenti i Thesarit deklaroi se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, e cila më 19 dhjetor vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit tha se arsyet e cituara nga të dyja qeveritë për vendosjen e sanksioneve janë të ngjashme.

“Pas zgjedhjeve në Gjeorgji, zyrtarë kyçë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përfshinë në shtypjen e popullit të vet në mënyrë të egër, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve dhe përdorimin e dhunës”, tha Bradley T. Smith, nënsekretari i përkohshëm i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

Çdo aset i zotëruar nga Gomelauri dhe Kezevadze në juridiksionin amerikan është bllokuar, tha Departamenti i Thesarit.

Përveç Gomelaurit, Britania vendosi sanksione edhe ndaj zëvendësministrit të Brendshëm Aleksandre Darakhvelidze, Sulkhan Tamazashvili, Zviad Kharazishvili dhe Mileri Lagazauri, sipas një komunikate të Qeverisë britanike.

TË FUNDIT