Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se me me gjykimin në mungesë të të akuzuarve për krime të luftës, deri më tani janë ngritur 67 aktakuza ndaj 174 personave.
Ajo, në një konferencë për media tha se ky miratim i strategjisë për drejtësinë tranzicionale ishte më se i rëndësishëm, për të adresuar të kaluarën e dhimbshme, dhe për të ndihmuar viktimat që të gjejnë paqe, por po ashtu që të gjejnë drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
“Arritje e rëndësishme është edhe miratimi i strategjisë për drejtësinë tranzicionale, dhe strategjia është një udhërrëfyes i qartë për ne, për të adresuar të kaluarën e dhimbshme, dhe për të ndihmuar viktimat që të gjejnë paqe, por po ashtu që të gjejnë drejtësi”, tha Haxhiu.
“Tashmë si Ministri e Drejtësisë jemi duke bërë përpjekje maksimale që pas miratimit në mbledhjen e qeverisë, që secili rekomandim, secili veprim që përfshihet në këtë strategji të zbatohet në plotni. Në vazhdën e veprimeve tona, ne kemi ndërmarrë ndryshime të rëndësishme po ashtu që ndërlidhen me gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë. Tani mund të ndiqen penalisht ata që përpiqen të shmangin përgjegjësinë për krimet që kanë kryer, pavarësisht vendndodhjes së tyre”.
“Bazuar në të dhënat që i kemi siguruar nga sistemi i drejtësisë, departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale, tashmë janë 67 aktakuza të ngritura ndaj 174 personave, nga të cilat dhjetë raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet në vazhdim. Pra duke marr parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës, dhe as ata terroristë që kryejnë krime terroriste, sulme terroriste në kohë të paqes, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të adresohet gjykimi në mungesë për krimet e luftës”, u shpreh Haxhiu./KlanKosova



