Flota e re e autobusëve elektrikë përgatitet të dalë në rrugë
F

Flota e re e autobusëve elektrikë përgatitet të dalë në rrugë

Automjetet e para që janë pjesë e një flote të re autobusësh elektrikë së shpejti do të dalin në rrugët e Plymouth dhe pjesë të Cornwall, të Anglisë.

Plymouth Citybus po zëvendëson disa nga automjetet e saj aktuale me naftë me 50 autobusë dykatësh me emetime zero, si pjesë e një projekti prej 32 milionë funtesh.

Drejtuesit shpresojnë që ky veprim do të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit, si dhe do t’i bëjë udhëtimet më të lehta për pasagjerët.

Kompania ka financuar pjesën më të madhe të projektit me një kosto prej gati 20 milionë paundësh, ndërsa pjesa tjetër e financimit vjen nga një grant qeveritar dhe kontribute nga Këshilli i Qytetit të Plymouth dhe Këshilli i Cornwall.

Citybus punëson 600 shoferë të cilët tani po ritrajnohen për të drejtuar autobusët e rinj elektrikë.

Instruktorja e drejtimit të makinës në kompani, Emma Courtier, tha se kjo përfshin një mënyrë shumë të ndryshme drejtimi.

“Do të jetë shumë ndryshe. Nuk ka marshe, kështu që kur e vendosni këmbën në pedalin e gazit, do të niset shumë butësisht dhe e njëjta gjë vlen edhe për frenimin.”, tha ajo për BBC.

“Shpresojmë që për pasagjerët tanë dhe për shoferin të jetë një udhëtim shumë më i qetë dhe shumë më i rehatshëm.”

Pesëdhjetë autobusë

Autobusët e rinj do të shërbehen nga 26 pika karikimi që janë duke u instaluar aktualisht dhe do të mbushin dy automjete në të njëjtën kohë gjatë natës.

Citybus tha se automjetet e reja janë bërë gjithashtu më të arritshme sesa autobusët me naftë që po zëvendësojnë, me hapësirë ​​për dy karrige me rrota.

Autobusët e parë pritet të fillojnë qarkullimin në qershor, ndërsa të 50 automjetet e flotës do të dalin në rrugë deri në fund të vitit. /AutoPortali

TË FUNDIT