Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka bërë të ditur se është duke monitoruar me vëmendje situatën e krijuar si pasojë e shfaqjes së disa llojeve të kafshëve të egëra, siç është edhe ariu i murrmë, që kanë nisur frekuentimin e shtuar në zonat e banimit dhe në territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
DAPK ka theksuar se kjo situatë po përsëritet zakonisht nëpër periudhat maj-qershor, ku arinjtë po e shpeshtojnë frekuentimin në këto lokacione ku hidhen mbeturina ushqimore.
“Për shkak të gjendjes se krijuar dhe në përpjkeje për të monitoruar nga afër gjendjen, Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare ‘’Sharri’’ gjatë këtyre ditëve ka shtuar numrin e kontrolleve dhe aktiviteteve në terrenet sikurse janë:
- Kontrolla nga rojtaret e natyrës në lokacionet Brezovicë dhe Prevallë,
- Angazhimin e shtuar të stafin profesional me kontrolla të përditshme përfshirë edhe ditët e vikendeve,
- Takime dhe informim të vizitoreve rreth rreziqeve që paraqet kjo situatë,
- Informim përmes rrjeteve sociale, uebfaqes dhe formave tjera të komunikimit”, thuhet në njoftimin e DAPK.
DAPK po ashtu ka ftuar për bashkëpunim edhe institucionet tjera relevante dhe stacionet policore të Shtërpcës dhe Prizrenit, si dhe ka kërkuar nga banorët e zonës dhe vizitorët që të mos hedhin mbeturina ushqimore në territorin e parkut. /AutoPortali



