Kaos i madh në trafik është shënuar gjatë të dielës në Shëngjin, ku dhjetra pushues janë përballur me kolona të gjata që zgjateshin për kilometra të tëra, veçanërisht në zonën e Ranës së Hedhun, raporton AutoPortali.
Që nga pasditja e hershme e së dielës, lëvizja e automjeteve drejt Kosovës ka qenë thuajse e pamundur.
Disa pushues nga Kosova kanë mbetur të bllokuar në rrugë për orë të tëra, ndërsa një qytetar tregoi për AutoPortali, se kishte qëndruar mbi tre orë i ngujuar në makinë, në një segment rrugor vetëm 3 kilometra të gjatë.
Shkaktarët kryesorë të kësaj situate, siç tha ai janë numri i madh i automjeteve, rrugët e ngushta dhe infrastruktura jo e përshtatshme për përballimin e fluksit të madh të vizitorëve.
Përveç bllokimeve, shumë pushues janë përballur edhe me prishje të automjeteve për shkak të qëndrimit të gjatë në kolonë, tha qytetari.
Disa prej tyre, të dorëzuar nga përpjekjet për të ecur përpara, kanë ndezur zjarre buzë rrugës për të përmirësuar kushtet e pritjes gjatë orëve të vona.
Kaos në trafik është regjistruar jo vetëm në brendësi të qytetit të Shëngjinit, por edhe përgjatë aksit rrugor Shëngjin–Milot, me bllokime të herëpashershme që kanë rënduar më shumë situatën në trafik. /AutoPortali



