Aeroporti ndërkombëtar Václav Havel në Pragë pritet t’i nënshtrohet një modernizimi të thellë me vlerë mbi 1.1 miliardë paund, përgjatë dekadës së ardhshme. Projekti përfshinë zgjerimin e terminaleve, krijimin e një stacioni të ri treni, ndërtimin e parkingjeve shtesë dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore që të çon në aeroport.
Punimet pritet të përfundojnë rreth mesit të viteve 2030, ndërsa zgjerimi i kapacitetit të parkingjeve do të nisë që nga viti i ardhshëm, transmeton AutoPortali.
Sipas The Sun, në vitin 2027 planifikohet të fillojë edhe zgjerimi i terminaleve me procedura të reja të regjistrimit dhe zgjidhje operacionale inovative, sipas faqes zyrtare të aeroportit.
Një nga pikat kyçe të projektit është lidhja hekurudhore e aeroportit me qendrën e qytetit përmes linjës Prague–Kladno, e cila do të mundësojë udhëtimin për vetëm 25 minuta. Stacioni i ri do të ketë një platformë qendrore dhe lidhje nëntokësore drejt terminaleve.
Pas vitit 2030, do të zhvillohet edhe pista e dytë paralele e aeroportit për të rritur kapacitetin dhe për të zvogëluar ndotjen akustike. Aeroporti synon të arrijë një kapacitet deri në 46 ulje/ngritje në orë, ndërsa do të ndërtohet edhe një “Skywalk” për lëvizjen e sigurt dhe të shpejtë të udhëtarëve midis ndërtesave të aeroportit.
Sipas zëdhënëses Denisa Hejtmánková, përveç përmirësimeve logjistike, aeroporti do të përfitojë edhe nga investime infrastrukturore si stacioni i ri i transformatorëve elektrikë.
Praga mbetet një nga destinacionet më të lira për pushime në qytet, me çmime të ulëta për ushqim, pije dhe akomodim. Vitin e kaluar, sipas raportit të “Post Office”, një pushim mesatar në Pragë kushtonte rreth 318 £, duke përfshirë ushqim, transport dhe dy netë në hotel me tre yje. Akomodimi zbriti me 21.4%, nga 196 £ në 154 £.
Edhe stacioni hekurudhor qendror i Pragës do të përfitojë nga një rindërtim prej 6.1 miliardë paundësh, që përfshin një qendër kulturore dhe një shesh të ri, si dhe ndërtimin e tuneleve nëntokësore me gjatësi prej mbi 10 kilometrash.
Punimet modernizuese për aeroportin e kryeqytetit çek pritet të përfundojnë rreth mesit të viteve 2030. /AutoPortali



