Shqipëria përfshihet nga i nxehti ekstrem, kërkohet kujdes nga zjarret
S

Shqipëria përfshihet nga i nxehti ekstrem, kërkohet kujdes nga zjarret

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët, ndërsa Shqipëria pritet të përfshihet nga një valë të nxehti me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë celcius në ditët në vijim.

Në njoftimin e saj, AKMC u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos për shtresat më të ndjeshme të popullsisë, si të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura, pasi rreziku për shpërthimin e zjarreve është i lartë.

“Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun e zjarreve në pyje dhe zonat rurale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë, transmeton AutoPortali.

Në rast se qytetarët konstatojnë tym apo flakë në hapësira të afërta, ata këshillohen të kontaktojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrat 128 ose 112.

AKMC shton se respektimi i masave parandaluese është thelbësore për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit, ndërsa apelon për bashkëpunim të ngushtë të komunitetit për të kaluar një sezon veror sa më të sigurt. /AutoPortali

TË FUNDIT