Gjermanët po e braktisin Turqinë, Greqia, Bullgaria dhe Egjipti në rritje
G

Gjermanët po e braktisin Turqinë, Greqia, Bullgaria dhe Egjipti në rritje

Tendencat e udhëtimeve për verën 2025 tregojnë një ndryshim të dukshëm në preferencat e turistëve gjermanë. Turqia, që prej vitesh ka qenë ndër destinacionet më të kërkuara, këtë vit po përballet me rënie të theksuar të interesimit.

Sipas FtnNews, të dhënat e më hershme të rezervimeve tregojnë një ulje prej 10%, ndërsa vetëm Riviera Turke ka shënuar një rënie prej 12%, pavarësisht zbritjeve agresive të fundit nga hotelet.

Sipas raportit të TDA (Travel Data + Analytics), rritja e çmimeve për shkak të inflacionit po ndikon ndjeshëm në vendimin e gjermanëve për të shmangur Turqinë. Nga ana tjetër, destinacione si Greqia, Bullgaria dhe Egjipti po përjetojnë rritje të ndjeshme të rezervimeve.

Greqia përforcon pozicionin

Greqia, e cila vitin e kaluar priti mbi 5.4 milionë turistë gjermanë, është në rrugë për të thyer rekorde të reja. Rezervimet për 2025 janë rritur ndjeshëm, sidomos në ishujt dhe në pjesën kontinentale të vendit. Klima e qëndrueshme, çmimet konkurruese dhe oferta kulturore janë faktorët kyç që po e rrisin kërkesën.

Spanja mban lidershipin, por me rënie

Spanja mbetet destinacioni më i preferuar për gjermanët, me rreth 30% të totalit të rezervimeve, por edhe atje ka një rënie prej 4%. Ishujt Kanarie vazhdojnë të jenë të fortë në dimër, ndërsa Balearët dhe Spanja kontinentale po përballen me sfida për shkak të çmimeve të larta sezonale dhe interesit në rritje për alternativa më të lira.

Bullgaria dhe Egjipti, fituesit e rinjm

Bullgaria po shënon një rritje rekord prej 25% të rezervimeve, ndërsa Qipro ka një rritje prej 15%, Egjipti me 12%, Polonia 9% dhe Franca 8%. Çmimet më të ulëta për natë në krahasim me destinacionet tradicionale po i bëjnë këto vende më tërheqëse, sidomos për familjet. Tunizia dhe veçanërisht ishulli Djerba gjithashtu po përfitojnë nga kërkesa për pushime me kosto të ulët.

Ndryshime në sezon dhe në rezervimeve

Gjermanët po shmangin muajt më të nxehtë dhe po zgjedhin më shumë udhëtime gjatë pranverës dhe vjeshtës. Rezervimet për muajin tetor janë rritur me 25% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa interesimi për sezonin e lartë korrik-gusht po bie. Arsyeja kryesore mbetet vala e të nxehtit dhe zjarret e shpeshta në Evropën Jugore.

Pushime më të shkurtra dhe planifikim më i hershëm

Një tjetër trend i dukshëm është shkurtimi i kohëzgjatjes së pushimeve. Mesatarja ka rënë nga 9.5 në 9 ditë gjatë pesë viteve të fundit. Gjermanët po planifikojnë më herët dhe po zgjedhin pushime më të shkurtra, por më të shpeshta gjatë vitit.

E ardhmja e Turqisë në pikëpyetje

Varësia e Turqisë nga tregjet gjermane dhe ruse po e bën situatën edhe më sfiduese. Edhe pse hotelierët turq po bëjnë ulje të forta çmimesh, inflacioni i lartë po vazhdon të largojë turistët. Rajoni i Egjeut po tregon një qëndrueshmëri më të madhe, por në përgjithësi, për Turqinë do të jetë sfiduese të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm nëse nuk arrin të stabilizojë çmimet dhe të ofrojë vlerë të qëndrueshme për paratë. /AutoPortali

TË FUNDIT