Spanja ndryshon sinjalistikën rrugore: Simbole të reja për një epokë të re
S

Spanja ndryshon sinjalistikën rrugore: Simbole të reja për një epokë të re

Nga 1 korriku 2025, udhëtarët nëpër rrugët e Spanjës do të përballen me një pamje të re: sinjale rrugore të përditësuara me simbole moderne, të përshtatura për sfidat dhe teknologjitë e shekullit XXI. Ky proces do të përfundojë në korrik 2026.

Sic shkruan FtnNews, pas më shumë se 20 vjetësh, Drejtoria e Përgjithshme e Trafikut në Spanjë (DGT) ka nisur këtë reformë për të reflektuar ndryshimet në mënyrën si njerëzit udhëtojnë sot – nga makinat elektrike dhe skuterët elektrikë, te hapësirat e përbashkëta për këmbësorët dhe zonat me mision të ulët.

Çfarë do të shohin shoferët këtë verë?

Ndër sinjalet më të reja spikasin:

  • Paralajmërimi për korsitë e biçikletave që ndërthuren me rrugën kryesore (P-22)
  • Korsi të dedikuara për biçikleta dhe skuterë elektrikë (R-420)
  • Shenja për stacionet e karikimit për automjetet elektrike, përfshirë pikat për hidrogjen dhe gaz LPG
  • Simbole të reja për udhëtime dimërore në malësi, si detyrimi për goma bore ose zinxhirë
  • Zona të përbashkëta urbane, ku kufiri i shpejtësisë bie në 20 km/h dhe fëmijët kanë përparësi

Lamtumirë simboleve klasike

Disa prej sinjaleve të vjetra janë ridizajnuar për të reflektuar realitetin e ri: treni me avull zëvendësohet me një siluetë të trenit elektrik të shpejtësisë së lartë, ndërsa paralajmërimet për mjegull dhe tatëpjeta janë bërë më të qarta vizualisht.

Çfarë duhet të dinë turistët?

Turistët që qarkullojnë me makinë me qira, kamper apo motor duhet të kenë kujdes ndaj sinjaleve të reja, sidomos në zonat rurale dhe ato me kufizime të veçanta për automjetet me emision të lartë. Shkelja e rregullave të reja, si futja në zona të ndaluara për makina me naftë ose benzinë, mund të sjellë gjoba prej të paktën 200 euro.

Për të ndihmuar shoferët, aplikacionet GPS do të përditësohen me informacionet e reja dhe agjencitë e makinave me qira tashmë po informojnë klientët.

Ndër risitë interesante është edhe qasja gjinore më neutrale në disa simbole: për shembull, tabela që paralajmëron kalimin e fëmijëve tani paraqet një motër më të madhe që udhëheq vëllain e vogël, duke reflektuar përpjekjet për barazi gjinore në hapësirat publike.

Në fund, Spanja po ndërmerr një hap të madh drejt një trafiku më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe të përshtatur me realitetet moderne të transportit. Për udhëtarët, kjo do të thotë më shumë vetëdije dhe njohuri për sinjalet që do të takojnë gjatë pushimeve të tyre në vendin iberik. /AutoPortali

TË FUNDIT