Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka vijuar inspektimet në plazhet e bregdetit Jon, duke ndaluar këtë herë në bashkinë e Himarës. Pas aksioneve për lirimin e hapësirave të zaptuara, sipas ministres, plazhet publike janë pothuajse dyfishuar.
E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo, Kumbaro kërkoi angazhim të shtuar të Policisë Kufitare për të garantuar sigurinë në aktivitetet e turizmit detar, si përdorimi i jetski-ve dhe skafeve, transmeton AutoPortali.
“Procesi i shpërndarjes së plazheve ka përfunduar dhe tani kërkohet bashkëpunimi i policisë bashkiake, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Policisë së Shtetit për respektimin e rregullave”, u shpreh Kumbaro, shkruan OraNews.
Ministrja kërkoi gjithashtu nga administratorët e plazheve private të respektojnë distancën prej 2.5 deri në 3 metra nga vija e detit, si hapësirë publike për pushuesit. Ajo nënvizoi se rritja e hapësirave publike rrit edhe përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat për lirimin e hapësirave të zaptuara dhe për mobilimin e plazheve publike. Ai tha se këtë sezon, bashkia do të vendosë 250 çadra falas për pushuesit, duke siguruar një raport 50 me 50 mes plazheve publike dhe atyre private.
Gjatë inspektimeve, ministrja Kumbaro zhvilloi takime edhe me pushues dhe përfaqësues të bizneseve të plazheve, duke kërkuar respektim të qetësisë dhe reduktim të zhurmave nga aktivitetet muzikore në zonat turistike. /AutoPortali




