Duke nisur nga 1 korriku 2025, në rrugët kryesore të Shqipërisë do të shihen patrulla të përbashkëta të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të menaxhimit të fluksit turistik dhe garantimit të sigurisë rrugore gjatë sezonit veror.
Ky bashkëpunim u zyrtarizua sot me nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve, ku u dakorduan për shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në territorin shqiptar.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.
Ky memorandum, siç u theksua nga drejtuesit e të dy policive, është një dëshmi konkrete e harmonisë dhe koordinimit ndërmjet dy vendeve jo vetëm në fushën e sigurisë rrugore, por edhe në luftën kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Policia e Kosoës, që këtë verë do të patrullojnë krah kolegëve shqiptarë në akset kryesore turistike, do të angazhohen në:
- Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore
- Menaxhimin e trafikut në rrugët me fluks të lartë mjetesh
- Shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në policimin rrugor
Drejtori Proda e cilësoi këtë bashkëpunim si një shembull të shkëlqyer të partneritetit rajonal, ndërsa Kolonel Hoxha vlerësoi angazhimin e përbashkët si një nder dhe përgjegjësi për Policinë e Kosovës.
Shërbimet e përbashkëta nisin zyrtarisht më 1 korrik, dhe do të jenë të pranishme në zonat me fluks të lartë të pushuesve, duke përfshirë edhe rrugët hyrëse dhe dalëse për në Shqipëri. /AutoPortali




