Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndaluar sot një shofer që po udhëtonte me 106 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është vetëm 40 km/h. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:35 në rrugën “Brahim Ademi”, gjatë një kontrolli rutinë me radar nga policia.
Shoferi i automjetit të tipit VW Touran, i identifikuar me inicialet E.S. (22 vjeç), u kap duke shkelur rëndë rregullat e qarkullimit rrugor. Si pasojë, atij iu shqiptuan këto masa ndëshkuese:
Gjobë në vlerë prej 300 euro,
3 pikë negative në patentë,
Ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe patrullime të intensifikuara në të gjitha rrugët e qytetit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.
Autoritetet policore u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të raportojnë çdo shkelje ose rrezik në trafik përmes kanaleve të komunikimit me Policinë e Ferizajt.




