Në kohët moderne, telefonat celularë janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme. Për shumë njerëz, ato janë mjete të domosdoshme për komunikim, punë dhe argëtim. Megjithatë, varësia ndaj tyre po shndërrohet në një rrezik të vërtetë, sidomos në hapësirat publike si rrugët dhe trotuaret.
Një fenomen gjithnjë e më i përhapur është ai i këmbësorëve që ecin duke përdorur telefonin, të zhytur në ekranet e tyre pa e vënë re çfarë ndodh rreth tyre. Në fakt, është krijuar edhe një term për ta: smombies – një kombinim i fjalëve “smartphone” dhe “zombie”. Këta përdorues të shpërqendruar të celularëve shpesh bëhen rrezik për veten dhe për të tjerët në trafik, shkruan HAK, transmeton Autoportali.
Për të rritur ndërgjegjësimin rreth këtij problemi, disa qytete në botë kanë vendosur tabela paralajmëruese. Në Korenë e Jugut, për shembull, janë instaluar sinjale që paralajmërojnë këmbësorët për rreziqet që vijnë nga përdorimi i celularëve gjatë ecjes. Masa të ngjashme janë marrë edhe në vende të tjera, përfshirë Gjermaninë dhe Lituaninë. Në këtë të fundit, një shenjë e veçantë paralajmëron për një përplasje të mundshme me autobus nëse dikush kalon rrugën duke parë telefonin.
Ky është një sinjal i qartë që teknologjia, sado e dobishme të jetë, kërkon një përdorim të ndërgjegjshëm. Ndërsa telefonat vazhdojnë të na ndihmojnë në shumë aspekte të jetës, është jetike të kuptojmë se në disa raste, si në trafik, një çast shpërqendrimi mund të kushtojë shumë.



