Komuna e Fushë-Kosovës ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga data 20 korrik deri më 20 gusht 2025, segmenti i rrugës “Dardania”, përkatësisht pjesa nga Shkolla “Mihal Grameno” deri te rruga “Pajazit Islami”, do të mbyllet për qarkullim të automjeteve çdo ditë nga ora 20:00 deri në 24:00.
Kjo masë është marrë me qëllim të krijimit të një hapësire të sigurt për qytetarët që frekuentojnë këtë zonë në orët e mbrëmjes. Gjatë këtij intervali kohor, rruga do të jetë në shërbim vetëm të këmbësorëve, shkruan AutoPortali.
Autoritetet komunale bëjnë thirrje për mirëkuptim dhe kërkojnë nga të gjithë vozitësit që të shfrytëzojnë rrugët alternative dhe të respektojnë udhëzimet e policisë, e cila do të jetë e pranishme për të siguruar mbarëvajtjen e qarkullimit dhe ruajtjen e rendit publik.
Për lehtësimin e orientimit, në të gjitha kryqëzimet dhe këndet hyrëse të këtij segmenti do të vendosen shenja orientuese të komunikacionit, që do të tregojnë hyrjet dhe daljet alternative.




