Në kuadër të planit vjetor të punës, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet dhe aktivitetet për rritjen e sigurisë në rrugë. Nga 1 janari deri më 14 korrik 2025, janë shqiptuar mbi 24 mijë gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, ndërsa janë marrë 1,002 patentë shoferi ndaj drejtuesve që rrezikuan sigurinë publike.
Fokusi ka qenë në parandalimin e tejkalimit të shpejtësisë, përdorimit të telefonit gjatë ngasjes, drejtimit nën ndikim të alkoolit, mosvendosjes së rripit të sigurisë dhe mungesës së helmetës te motoçiklistët. Njësia ka zhvilluar edhe ligjërata në shkolla për të edukuar nxënësit për sjellje të sigurta në komunikacion, shkruan AutoPortali.
Rezultatet flasin vetë, aksidentet rrugore kanë rënë me 24% krahasuar me vitin e kaluar, përfshirë reduktim të dukshëm të aksidenteve fatale dhe me lëndime trupore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë premton vazhdimësi në kontrolle dhe veprime edukative, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.




