Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Perimetri”, që çoi në arrestimin e një shtetasi çek të dyshuar për vjedhjen e një automjeti në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të hetimeve të udhëhequra nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit J. K., 34 vjeç, banues në Çeki. Ai dyshohet se më datë 13 korrik 2025, ka vjedhur një automjet në pronësi të shtetasit A. Ç., 59 vjeç, banues në Durrës, shkruan AutoPortali.
Operacioni i koduar “Perimetri” u zhvillua në disa zona, përmes bashkëpunimit ndërmjet strukturave hetimore të Durrësit dhe Tiranës, duke çuar në lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar në kryeqytet.
Gjithashtu, automjeti i vjedhur është gjetur dhe sekuestruar nga policia si provë materiale.
Materialet procedurale janë referuar tashmë pranë organit të akuzës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.




