Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj pjesëmarrësve në gara të rrezikshme shpejtësie që janë zhvilluar në rrugën “UÇK” në Rahovec, në orët e vona të natës së 3 korrikut. Pas pranimit të informatës për këtë aktivitet të paligjshëm, Stacioni Policor në Rahovec ka reaguar përmes veprimeve të shpejta operative dhe hetimore.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një pune të përkushtuar hetimore janë identifikuar tri vetura dhe të tre personat e përfshirë në këto gara të cilat përbëjnë rrezik të madh për sigurinë në komunikacion. Të gjithë kundërvajtësit janë ndëshkuar në përputhje me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, shkruan AutoPortali.
Personi i parë është dënuar me një gjobë prej 500 eurosh, është përjashtuar nga e drejta për të drejtuar automjete për 12 muaj dhe i janë shqiptuar gjithashtu 5 pikë negative. Ndërkohë, ndaj personit të dytë dhe të tretë, përveç pjesëmarrjes në garat e paligjshme, është konstatuar edhe kundërvajtje shtesë për drejtim të automjetit pa patentë shofer, çka ka sjellë ndërmarrjen e masave të mëtejme ligjore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë thekson se mbetet e përkushtuar për të parandaluar çdo veprim që cenon sigurinë në trafik dhe apelon tek të gjithë qytetarët, veçanërisht drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë për një ambient më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.




