Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) ka bërë publik një raport të inspektimit të jashtëzakonshëm që lidhet me përdorimin e teknologjisë për matjen e shpejtësisë së automjeteve në komunikacion., përcjell AutoPortali.
Ky inspektim është realizuar me qëllim të vlerësimit të mënyrës së përdorimit të pajisjeve digjitale për kontrollin e shpejtësisë, pas pranimit të informatave se disa zyrtarë policorë, për arsye të ndryshme, nuk po shqiptojnë gjoba për shkeljet e evidentuara.
“Inspektimi i menjëhershëm ka shërbyer për të kuptuar se sa efektivisht po shfrytëzohen këto pajisje dhe për të shqyrtuar nëse ekzistojnë rreziqe për keqpërdorim brenda njësive të trafikut”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Në kuadër të këtij procesi, IPK-ja ka synuar të arrijë disa qëllime kryesore, përfshirë:
-
Identifikimin e teknologjisë së përdorur për matjen e shpejtësisë në rrugë;
-
Vlerësimin e përdorimit të arsyeshëm dhe efikas të pajisjeve kur ngasësit rrezikojnë sigurinë në trafik duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar;
-
Krahësimin e numrit të matjeve me numrin e gjobave të lëshuara dhe shkeljeve të konstatuara.
Gjetjet e inspektimit kanë nxjerrë në pah se ekzistojnë parregullsi në përputhjen mes të dhënave të pajisjeve radarike dhe informacionit të shënuar në gjoba. Këto mospërputhje hedhin dyshime mbi mundësinë e abuzimeve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.
Krahasimi i të dhënave nga radarët dhe ato të përfshira në gjoba ka zbuluar katër lloje mospërputhjesh:
-
Në 55 nga 84 rastet, shpejtësia e raportuar në gjobë ishte më e ulët sesa ajo e matur nga radari;
-
Në 23 raste, kufiri i shpejtësisë i evidentuar në pajisje nuk përputhej me atë të shënuar në gjobë;
-
Në 3 raste, lloji i kundërvajtjes së regjistruar në gjobë ndryshonte nga ai që tregonte pajisja;
-
Po ashtu, në 3 raste janë lëshuar gjoba sipas nenit të gabuar të ligjit përkatës.
Si pjesë e raportit, IPK ka paraqitur edhe shtatë rekomandime kryesore. Ato përfshijnë: hartimin e një udhëzuesi për përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë; trajnime shtesë për zyrtarët policorë; kontroll më të rreptë mbi të dhënat e futura në pajisje; eliminimin e praktikave të pasakta në shqiptime gjobash; përdorim më të mirë të automjeteve me pajisje të avancuara; monitorim të vazhdueshëm të procesit të ruajtjes së videove apo fotografive të kapura; si dhe aplikimin e metodës së printimit të kundërvajtjeve direkt nga pajisjet.




