Barcelona po përballet me një verë të nxehtë jo vetëm nga temperaturat, por edhe nga sfidat financiare që kërkojnë masa të rëndësishme për të rikthyer stabilitetin ekonomik të klubit. Me rregullin financiar 1:1 që duhet respektuar, drejtuesit katalanas nuk përjashtojnë mundësinë e largimit të disa prej yjeve të skuadrës.
Sipas raportimeve të fundit nga media spanjolle Fichajes, Paris Saint-Germain është duke përgatitur një ofertë të madhe prej 80 milionë eurosh për të siguruar shërbimet e mesfushorit të talentuar të Barcelonës, Gavi, shkruan AutoPortali.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i cili e njeh shumë mirë Gavi-n nga periudha kur drejtonte Kombëtaren e Spanjës, dëshiron ta integrojë spanjollin në qendër të projektit të tij në Paris.
Klubi francez e konsideron Gavi-n një zëvendësues të përshtatshëm për Fabian Ruiz dhe një element të rëndësishëm në mesfushën e drejtuar nga Vitinha dhe Joao Neves. Intensiteti dhe teknika e mesfushorit janë faktorët kryesorë që po nxisin PSG-në të bëjë një investim të konsiderueshëm për ta transferuar atë nga “Camp Nou”.
Kjo lëvizje do të shënonte një goditje të rëndë për Barcelonën, e cila tashmë po kërkon mënyra për të balancuar buxhetin e saj, ndërsa PSG vazhdon të forcojë ekipin me yje të rinj dhe perspektivë për të ardhmen.



